Llapi fiton me vështirësi ndaj Fushë Kosovës, Prishtina rikthehet te fitorja

Llapi ka vuajtur, por në fund ka arritur të marrë pikët e plota para tifozëve të vet në përballje me Fushë Kosovën. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë u mbyll me shifrat 1:0. Kjo fitore ia mundësoi Llapit ta barazojë kuotën e pikëve me Dritën (58) dhe tani ngec vetëm dy pikë me liderin, Ballkanin.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ishte këmbëngulëse për të shënuar që nga fillimi i ndeshjee, por rrugën e golit e gjeti vetëm në minutën 90+1′, kur Ilir Krasniqi realizoi me gjuajtje me kokë. Paraprakisht Llapi pati mundësi të shënojë nga pika e bardhë, por Muhamet Hyseni nuk ishte i saktë.Ndërkohë, Prishtina, pas tri barazimeve rresht dhe disfatës në xhiron e kaluar, është kthyer te fitorja dhe atë si mysafire. Bardhekaltrit e kryeqytetit e mposhtën Malishevën në stadiumin “Liman Gegaj”, me rezultat 1:0.Golin e vetëm në këtë ballafaqim e shënoi Hasan Hyseni në minutën e 67-të, pas pasimit që mori nga Ardian Muja.Malisheva nga minuta e 71-të luajti pa sulmuesin Rilind Haziraj, që u përjashtua pasi u ndëshkua me karton të kuq.Prishtina pas 30 ndeshjeve zë vendin e pestë me 43 pikë, kurse Malisheva mbetet në vendin e katërt me 52 pikë.