Kthimi i Varanes, arsye shtesë për të festuar te Franca

Golat e Kylian Mbappes e kanë dërguar kampionen në fuqi, Francën, në raundin nokaut të Kupës së Botës në Katar. Ndërkohë, kthimi i Raphael Varanes ka dhënë arsye shtesë për festë në kampin e Francës.

Brengat për shkak të lëndimeve para Botërorit po shkojnë duke u zvogëluar. “Les Blueus” po ndihen optimistë dhe tashmë llogariten prej favoritëve për ta fituar Botërorin.

Dy golat e Mbappes në fitoren 2:1 të së shtunës ndaj Danimarkës, ndihmuan Francën që të bëhet kampioni i parë në fuqi që kalon në një të tetën e finales që nga Brazili në vitin 2006.

Ndërkohë mbrëmja për Francën u bë edhe më e mirë me kthimin e Varanes në qendër të mbrojtjes. Ishte paraqitja e parë e mbrojtësit elegant që kur në lot lëshoi fushën pas një dëmtimi në kofshë derisa luante për Manchester Unitedin më 11 tetor.

Kishte frikë të madhe se Kupa e Botës do të ishte ngjarje e humbur për Varanen, apo se ai nuk do të jetë plotësisht i gatshëm për ta fituar besimin në Katar. Por paraqitja e 88-të për Francën shkoi sipas planit për Varanen.

“Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur që jam këtu. Kam punuar fort dhe e kam shijuar shumë”, ka thënë Varane pas ndeshjes.

“Është gjithnjë e veçantë të luash në Kupën e Botës, të luash për vendin tënd. Po e shfrytëzoj maksimalisht”, ka shtuar Varane.

Prania e tij në fushë sjell qetësi. Ai shquhet për lexim të jashtëzakonshëm të lojës dhe lojë të suksesshme me kokë. Këto cilësi u shfaqën vërtet në stadiumin 974, ku Varane luajti përkrah Dayot Upamecanos.

Varane nuk kishte ndonjë shqetësim për 75 minuta, para se përzgjedhësi Didier Deschamps t’i jepte mundësi për të pushuar përpara ndeshjes së fundit të Francës në Grupin D, të mërkurën ndaj Tunizisë.

Me Francën tashmë të kualifikuar, është ndeshja pa shumë presion ajo me Tunizinë. Kjo i jep mundësinë përzgjedhësit Deschamps që të testojë një dyshe tjetër në mbrojtje. Ka gjasë që Varane të luajë përkrah Ibrahima Konates, që luajti në fitoren 4:1 ndaj Australisë. Më pas Deschamps do të vendosë se cila dyshe do të luajë në qendër të mbrojtjes në një të tetën e finales.

Deschamps me siguri është ndier i lehtësuar kur ka parë Varanen duke luajtur pa ndonjë shqetësim fizik. Ai ka mbetur pa shumë yje në prag të Botërorit. Karim Benzema, Paul Pogba, N’Golo Kante, Presnel Kimbpembe, Christopher Nkunku mbetën jashtë Botërorit për shkak të lëndimeve. Ndërkohë u lëndua edhe Lucas Hernandez.

Kështu që do të ishte goditje e madhe për Francën nëse do të mbetej edhe pa Varanen, mbrojtësin kryesor në kampanjën e vitit 2018 që përfundoi me titull të botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *