Kosovare Asllani vjen në Kosovë në Ditën e Pavarësisë

Futbollistja e famshme Kosovare Asllani do të qëndrojë në Kosovë më 17 shkurt, pikërisht në ditën e shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ajo do të vjen për vizitë si ambasadore e UNICEF-it. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në një postim në Facebook, pas takimit që ka pasur me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Postimi i plotë i Ademit:
Me kënaqësi prita në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund, në selinë e FFK-së. Gjatë këtij takimi diskutuam për bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe për ardhjen e futbollistes me famë botërore, Kosovare Asllani, me misionin të UNICEF-it.
Futbollistja me prejardhje nga Kosova është ambasadore e shpresës së mirë të UNICEF-it dhe do të jetë në Kosovë më 17 shkurt.
UNICEF-i, bashkë me Ambasadën Suedeze dhe FFK-në do të organizojnë pritjen për futbollisten e Kombëtares suedeze, e cila luan për skuadrën e Milanit dhe më parë ishte pjesë e Real Madridit.
Ajo do të qëndrojë në Kosovë për disa orë sipas agjendës dhe protokollit të UNICEF-it.