Kosova U15 pëson humbje në miqësoren e parë ndaj Maqedonisë së Veriut
Kombëtarja e Kosovës U15 ka pësuar humbje, me rezultat minimal 0:1, në ndeshjen miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut U15, e cila u zhvillua, të martën, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Ndeshja nisi me angazhim të madh nga Dardanët e rinj për të krijuar epërsi, por ishin mysafirët që u treguan më të shkathët dhe shfrytëzuan hapësirat e krijuara në mbrojtjen e Kosovës, duke e gjetur rrugën e rrjetës.
Golin e epërsisë për Maqedoninë e Veriut e realizoi Jovan Jancevski, në minutën e 15-të, i cili në fund doli të jetë edhe gol përcaktues për fitoren e mysafirëve.
Të përzgjedhurit e Ilir Nallbanit tentuan më pas të rikthehen në rezultat, por nuk arritën t’i finalizojnë me sukses rastet e krijuara.
Ndeshjen e dytë miqësore këto dy ekipe do ta zhvillojnë të enjten në Shkup.




