October 2026
M T W T F S S
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  
October 2, 2026

Kosova ndalet në barazim ndaj Izraelit në Debrecen

Kombëtarja e Kosovës ka barazuar pa gola ndaj Izraelit në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në Debrecen të Hungarisë, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.

Ndeshja, në të cilën Izraeli ishte organizator, u zhvillua para një numri të kufizuar shikuesish.

Kosova pati pak raste të pastra shënimi gjatë 90 minutave, ndërsa një prej futbollistëve më të dalluar ishte portieri Amir Shaipi, i cili bëri disa pritje të rëndësishme, sidomos në pjesën e parë.

Izraeli, ndonëse kishte më shumë iniciativë në faza të caktuara të lojës, rrezikoi portën e Kosovës në minutën e 31-të, por Shaipi ishte në vendin e duhur për t’i ndalur dy tentativa të kundërshtarit.

Pesë minuta më vonë, Kosova pati rastin e saj të parë të mirë. Lumbardh Dellova goditi nga distanca, por portieri izraelit e priti gjuajtjen.

Dardanët e nisën më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 52-të Muharrem Jashari provoi të shënonte, por edhe gjuajtja e tij u ndal nga portieri kundërshtar.

Vetëm tri minuta më vonë, Shaipi u detyrua të intervenonte sërish, duke ndalur një goditje të fortë të njërit prej futbollistëve të Izraelit.

Përzgjedhësi Franco Foda më pas bëri disa zëvendësime.

Në minutën e 58-të në fushë u inkuadruan Leon Avdullahu, Veldin Hoxha dhe Dion Gallapeni, ndërsa u zëvendësuan Muharrem Jashari, Milot Avdyli dhe Dion Kaçuri. Për Kaçurin kjo ishte paraqitja debutuese me Kosovën.

Pak më vonë, Foda aktivizoi edhe Milot Rashicën, i cili hyri në lojë në vend të Albion Rrahmanit.

Zëvendësimi i fundit u bë në minutën e 77-të, kur Valmir Matoshi u zëvendësua nga Edon Zhegrova. Sulmuesi kosovar pati një tentativë në fund të ndeshjes, por pa arritur ta gjejë rrjetën.

Në fund, të dyja skuadrat u desh të kënaqeshin me nga një pikë.

Pas këtij barazimi, Kosova renditet e dyta në Grupin B3 me katër pikë, aq sa ka edhe Irlanda. Austria kryeson grupin me shtatë pikë, ndërsa Izraeli mbetet në vendin e fundit me një pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *