KF Malisheva rishkruan historinë, sërish në Evropë!

Rrethi i Malishevës, një rajon që për shekuj me radhë ishte lënë pas dore dhe pa përkrahje për t’u zhvilluar, si në aspektin ekonomik, e lëre më në atë sportiv, sot po shënon një kapitull historik.

Falë entuziastëve dhe në veçanti njeriut që ishte një ndër themeluesit kryesorë të KF Malishevës, Afrim Bytyqit, edhe sivjet emri i Malishevës do të regjistrohet në të gjitha ngjarjet e futbollit evropian. KF Malisheva, falë organizimit të mirë për të dytin vit rresht do të luajë në garat evropiane. Afrimi është një kontribuues shumëdimensional – një ndërmarrës shumë i suksesshëm dhe një humanist i pashoq.

Afrimi ka qenë pranë shumë klubeve në kohët më të vështira, si KF Hajvalia, Ballkani dhe Skënderbeu i Korçës. Pas themelimit të KF Malishevës në vitin 2006, Afrimi iu përkushtua me tërë qenien e tij, duke shpenzuar mjete të konsiderueshme materiale, kohë dhe mund për mirëqenien dhe zhvillimin e klubit.

Ajo që e bën Afrimin të veçantë është se kurrë nuk flet për veten e tij, por e ka parë gjithmonë kontributin si një detyrim dhe obligim për të mirën e vendit. Ai është ndër të parët që solli lojtarë nga kontinenti i Afrikës në Kosovë dhe Shqipëri, duke pasuruar bashkëpunimin kulturor dhe duke i dhënë vlerë respektit që shqiptarët kanë për të gjithë – pavarësisht kombit, fesë apo ngjyrës.

Në fund, duhet theksuar se ka pasur dhe ka ende shumë individë të tjerë që me përkushtim dhe sakrificë, madje duke shkrirë edhe pasurinë e tyre që nga koha e okupimit e deri te pranimi në UEFA e FIFA, kanë kontribuar për futbollin tonë dhe që vazhdojnë të kontribuojnë edhe sot. Për të gjithë këta duhet të jemi thellësisht mirënjohës!

Fekmi Kongjeli
Përfaqësues i FFK-së për Gjermani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *