KE i FFK-së mbajti mbledhjen e radhës, vlerëson pozitivisht ecurinë e garave dhe progresin e ekipeve Kombëtare
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku u trajtuan çështje me rëndësi për zhvillimin dhe organizimin e futbollit në vend. Në hapje të mbledhjes, presidenti Ademi u uroi mirëseardhje anëtarëve të rinj të KE-së, Enver Muzliukaj dhe Armend Misini, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në vendimmarrjen strategjike të federatës, njofton FFK.
Gjatë mbledhjes u miratua unanimisht procesverbali i mbledhjes së kaluar, ndërsa diskutimet kryesore u përqendruan në ecurinë e garave vendore, performancën e ekipeve kombëtare dhe zhvillimin e infrastrukturës.
Komiteti Ekzekutiv vlerësoi se garat në të gjitha nivelet janë duke u zhvilluar me intensitet dhe rivalitet të lartë. Superliga u cilësua si tejet konkurruese, si në luftën për pjesëmarrje në garat evropiane, ashtu edhe në betejën për mbijetesë.
Po ashtu, u theksua niveli i lartë konkurrues në Ligën e Parë, ku disa skuadra me traditë janë në garë për inkuadrim në elitë dhe për pozitën e barazhit. Në këtë kontekst, për shkak të rëndësisë së ndeshjeve dhe mungesës së sistemit VAR në të gjitha stadiumet, u la e hapur mundësia që ndeshje të caktuara të zhvillohen në termine të ndryshme, me qëllim që të ketë sa më shumë drejtësi në ndeshjet vendimtare.
U theksua përkushtimi maksimal i të gjitha organeve të FFK-së, për angazhimin e gjyqtarëve dhe zyrtarëve më të mirë në ndeshjet e fundit të këtij edicioni, në mënyrë që ndeshjet të zhvillohen në mënyrë sa më të rregullt dhe me drejtësi maksimale.
KE vlerësoi se kampionati vendor ka shënuar progres të dukshëm, falë përmirësimit të infrastrukturës, sigurimit shëndetësor të futbollistëve dhe rritjes ekonomike të klubeve. Njëkohësisht, u konstatua se integriteti i garës nuk është cenuar, pavarësisht zërave të izoluar për manipulim të ndeshjeve, ndërsa u theksua edhe një herë se të gjitha ndeshjet monitorohen nga mekanizmat përkatës vendorë dhe ndërkombëtarë, teksa u bë thirrje që kushdo që ka fakte konkrete t’i paraqesë ato në organet e FFK-së, por edhe në institucionet shtetërore.
Në funksion të zhvillimit të mëtejmë, u theksua nevoja për vendosjen e kritereve edhe më të larta për klubet e Superligës, si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë infrastrukturor, ndërkohë që një ekspert i FIFA-s tashmë ka nisur procesin e vlerësimit dhe kategorizimit të stadiumeve.
Komiteti Ekzekutiv diskutoi edhe për avancimin e futbollit të vajzave, ku u theksua nevoja për riformatim të garave me qëllim rritjen e konkurrencës. Sipas kërkesave të UEFA-s, nga edicioni i ardhshëm pritet që klubet e Superligës të kenë edhe ekipet e vajzave, si pjesë e detyrimeve për zhvillimin gjithëpërfshirës të futbollit.
Gjithashtu, u theksua nevoja që Superliga U19 të ketë vëmendje më të madhe nga vet klubet, pasi ajo vlerësohet si një ligë që mundëson zhvillimin e talenteve dhe promovimin e tyre në arenën evropiane përmes UEFA Youth League, si dhe duke pasur parasysh interesimin e madh të skautëve dhe klubeve evropiane për këtë grupmoshë.
Komiteti Ekzekutiv vlerësoi lart paraqitjet e Kombëtares A në ciklin kualifikues për Kupën e Botës 2026, duke theksuar se ekipi ka tejkaluar pritshmëritë dhe ka ndërtuar një imazh shumë pozitiv ndërkombëtar. U shpreh keqardhje që fati nuk ishte me Dardanët në finalen kundër Turqisë dhe nuk u arrit realizimi i ëndrrës së madhe për kualifikim në Botërorin 2026, që do të ishte edhe një promovim i madh për shtetin e Kosovës, por u potencua edhe jehona që ka bërë në tërë globin arritja deri në finale të ‘play-off’-it si dhe progresi në renditjen e FIFA-s dhe rezultatet e arritura ndaj kundërshtarëve të fortë evropianë.
Në këtë drejtim, u konfirmua se do të vazhdohet me prurje të reja në Kombëtare, ndërsa në funksion të përgatitjeve për garat e ardhshme, së shpejti pritet të zyrtarizohen edhe ndeshje miqësore për muajin qershor.
U vlerësuan edhe paraqitjet e Kombëtares U21, Kombëtares së vajzave, e cila kryeson grupin në kualifikimet për Botërorin 2027 në Ligën C, si dhe Kombëtares së futsallit, që ka kaluar fazën e parë kualifikuese për Botëror, duke i inkurajuar që edhe në ndeshjet e ardhshme të vazhdojnë në kërkim të rezultateve pozitive për realizim të objektivave.
Në fushën e infrastrukturës, u konstatua se FFK ka tejkaluar obligimet e saj përmes investimeve të vazhdueshme në projekte të rëndësishme, siç janë fushat stërvitore. Por, KE shprehu gatishmërinë për të vazhduar investimet në infrastrukturë me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të kushteve për futboll. Shumë shpejt do të fillohet me realizimin e projektit të ndriçimit të stadiumeve, i cili pritet të nisë me instalimin e reflektorëve në tri prej stadiumeve me bari natyral, për të vazhduar më pas me stadiumet e tjera.
Po ashtu, është duke u hartuar një projekt për ndërtimin e tribunave të reja në disa stadiume, me qëllim përmirësimin e kushteve për tifozët. Në këtë proces, u theksua rëndësia e bashkëpunimit me institucionet qendrore dhe lokale.
Sa i përket Kampit Nacional të FFK-së, u bë e ditur se për stadiumin kryesor është në proces sigurimi i pajisjes së ulëseve, me kapacitet prej 16,800 vendesh.
Gjatë mbledhjes u trajtua edhe çështja e pjesëmarrjes së ekipeve kombëtare në Lojërat Mesdhetare 2026, ku u arrit pajtueshmëri që Kombëtarja U19 e vajzave të përfaqësojë Kosovën. Me këtë rast, u theksua se KOK-u ka bërë lëshim të madh duke mos e njoftuar me kohë FFK-në për ftesën e pjesëmarrjes në këtë garë të rëndësishme.
Po ashtu u konfirmua se ndeshja e Superkupës Kosovë–Diasporë do të zhvillohet më 9 maj në Cyrih, ndërmjet FC Kosova Cyrih dhe FC Prishtina, derisa mbështetje financiare për organizimin e saj ka ofruar edhe ministria.
Në përmbyllje, Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi dhe miratoi edhe disa kërkesa dhe parashtresa të paraqitura, duke vazhduar angazhimin për zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit në vend.
