Interi shkon në finalen e Ligës së Kampionëve pas fitores dramatike kundër Barcelonës

Skuadra e Interit është finalistja e parë e Ligës së Kampionëve që do të luajë më 31 maj në Mynih, pasi triumfoi në mënyrë dramatike ndaj Barcelonës me rezultat 4-3 pas vazhdimeve, në një përballje të paharrueshme në stadiumin “Giuseppe Meazza”. Ndeshja përfundoi 3-3 në kohën e rregullt, me golin vendimtar që u shënua nga Frattesi në vazhdime.
Pjesa e parë: Interi dominon dhe kontestime nga Barcelona
Takimi nisi me nga një rast të lehtë për të dyja skuadrat, por Interi kaloi në epërsi në rastin e parë të vërtetë. Denzel Dumfries u gjet përballë portierit Szczesny, por zgjodhi të asistojë për Lautaro Martinez, i cili shënoi në portën bosh për 1-0.Ky gol e zgjoi Barcelonën, e cila mori kontrollin e topit dhe kaloi në sulm, por Lamine Yamal dhe Dani Olmo nuk arritën të konkretizojnë rastet e tyre. Më pas, dy vendime të gjyqtarëve shkaktuan reagime të forta. Fillimisht, në minutën e 25-të, VAR-i nuk ndërhyri pas një prekje me dorë të Acerbit brenda zonës, duke mos dhënë penallti për Barcelonën. Ndërkohë, në fundin e pjesës së parë, Interi fitoi një penallti pas një faulli ndaj Lautaros, pasi gjyqtari e rishikoi aksionin në monitor. Hakan Çalhanoğlu u tregua i saktë nga pika e bardhë për 2-0.
Pjesa e dytë: Rikthimi i furishëm i Barcelonës
Në pjesën e dytë, Barcelona u rikthye fuqishëm. Eric Garcia shënoi për 2-1, ndërsa në minutën e 60-të, Dani Olmo barazoi rezultatin me një goditje me kokë. Më vonë, VAR-i ishte sërish në qendër të vëmendjes. Fillimisht u akordua një penallti për Barcelonën pas një faulli të Çalhanoğlu ndaj Yamalit, por u anulua pasi faulli ndodhi jashtë zonës, shumë afër vijës së 16-shes.Në minutën e 88-të, Raphinha shënoi për 3-2 për Barcelonën, duke e vendosur ekipin katalanas për herë të parë në avantazh në këtë përballje me dy ndeshje. Por Interi nuk u dorëzua. Në minutat shtesë, mbrojtësi Acerbi u bashkua me sulmin dhe me një përfundim të shkëlqyer shënoi për 3-3, duke dërguar ndeshjen në vazhdime.
Vazhdimet: Interi vendos fatin e finales
Në vazhdime, stadiumi shpërtheu sërish në festë. Pas një aksioni të bukur kolektiv, Davide Frattesi realizoi golin e katërt për Interin, duke i dhënë avantazhin vendimtar skuadrës. Barcelona u përpoq deri në fund për të barazuar, por mbrojtja e Interit dhe portieri Sommer nuk lejuan asnjë befasi tjetër.
Finalja e madhe më 31 maj
Interi pret në finale fituesin e përballjes mes Arsenalit dhe PSG-së. Ekipi francez ka avantazhin e një goli nga ndeshja e parë në Londër. Një ndeshje e paharrueshme në Milano që siguroi Interit një vend të merituar në finalen e Ligës së Kampionëve.