“Interi duhet ta mbajë patjetër Lukakun, nuk ka shumë qendërsulmues të fortë si ai…”
Marco Branca ndodhet në Maltë për të vëzhguar ndeshjet e Kupës së Botës U-19. Një emër që nuk ka nevojë për prezantim, sepse është ende trajneri i fundit që ka fituar një Champions League me një ekip italian. Ishte viti 2010, viti i tripletës historike me Mourinhon në pankinë dhe Morattin si president. Një epokë tjetër.
Branca ka thënë fjalën e tij në “Tuttomercatoweb” për atë që po ndodh në tregun italian të transferimeve dhe për negociatat e fundit. “Para së gjithash, klubet italiane janë përpjekur të marrin më të mirët me parametra zero dhe diçka është bërë në këtë drejtim.
Unë mendoj mbi të gjitha për Romën, që ka fituar talent në mesfushë me Aouar dhe forcë mbrojtëse me N’Dicka. Më në përgjithësi, tani po mundohemi të shpenzojmë pak duke blerë cilësisht dhe më pas gradualisht, pas shitjeve, përcaktohen shpenzimet”.
Si e gjykoni kalimin e Tonalit te Newcastle?
Kishte një ofertë shumë të rëndësishme dhe sot llogariten arkat. Ky operacion u bë me idenë për t’i riinvestuar ato para. Tani drejtuesit e Milanit po përpiqen të sjellin lojtarë cilësorë, me moshën e duhur. Loftus-Cheek është një futbollist i cili, nëse nuk vuan nga ndonjë dëmtim, do t’i japë një dorë të madhe. Pastaj shumë varet nga futja dhe personaliteti i tij, sepse “San Siro” nuk është stadium si të tjerët. Për të luajtur në “San Siro” duhet personalitet. Në rastin e Tonalit, personaliteti doli në pah vetëm vitin e dytë si kuqezi. Loftus-Cheek vjen nga Premier League dhe futbolli anglez është më i butë nga kjo pikëpamje, mund ta ketë pak të vështirë të integrohet. Por ai është një lojtar i shkëlqyer, si fizikisht, ashtu edhe teknikisht.
Çfarë blerjesh prisni nga Milani për zëvendësimin e Tonalit?
Një sulmues, nëse jo dy. Do të duhet të blihet një qendërsulmues, që padyshim ky soj kushton më shumë, si për transferimin, ashtu edhe për pagën.
Cili është mendimi juaj për sezonin e fundit të Interit?
Një sezon i mirë. Është turp që u dorëzuan mendërisht në kampionat, një ekip si ky e meritonte të ishte konkurrues dhe të luftonte deri në fund, me Napolin disa pikë larg. Pastaj luajtën shumë mirë në të gjitha garat e tjera, fituan dy trofe dhe në Ligën e Kampionëve arritën deri në finale. Ne duhet t’i përgëzojmë për këtë.
Më shumë krenaria e arritjes në finale apo keqardhja që e humbi atë vetëm prej detajeve?
Të gjitha finalet vendosen nga detajet, por edhe gjysmëfinalet dhe çerekfinalet. Kjo histori detajesh shfrytëzohet paksa shumë. Nëse dikush ka kthjelltësinë, aftësinë dhe pak fat, mund t’ia dalë në finalet e mëdha. Ka qenë gjithmonë kështu.
A po ju pëlqejnë lëvizjet e para të Interit në tregun e transferimeve?
Ka marrë lojtarë me një potencial mjaft të lartë. Janë të rinj, kështu që duhet të krijojnë asete për klubin, duke mbajtur gjithmonë një sy në aftësitë teknike, sepse ato bëjnë diferencën. Do të ketë një periudhë ambientimi për Thuram, edhe Frattesi, nëse vishet zikaltër, do të jetë pak në stol në start, nëse të gjithë mesfushorët e tjerë janë në gjendje.
Sa i rëndësishëm do të ishte rikthimi i Lukakut për Interin?
Nuk ka shumë qendërsulmues që bëjnë një ndryshim të tillë në ligën tonë. Ai dëshiron të qëndrojë, në një farë mënyre do t’ia dalin mbanë.
Si e sheh Mourinhon te Roma?
E kam parë mirë, të vëmendshëm dhe të gatshëm. Atje po mendojnë ta forcojnë ekipin, është e qartë se kanë disa vështirësi, sepse nuk posedojnë financa të mëdha, por do të dalin me diçka plus nga kjo merkato.
