Hansi Flick: Duhet të luajmë më shpejt; Newcastle është një skuadër shumë e fortë
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur për media pas fitores bindëse kundër Sevillas, duke vlerësuar progresin por duke theksuar edhe pikat ku skuadra duhet të përmirësohet para një orari të ngjeshur.
”Ka shumë gjëra që po shkojnë mirë, por ka situata në fushë që nuk janë fantastike. Pesë gola dhe tre pikë, po, por në fillim nuk luajtëm me bindjen që dua të shoh. Kemi shumë ndeshje përpara dhe duhet të luajmë më shpejt. Duhet të qëndrojmë të fokusuar; Newcastle është një skuadër shumë e mirë. Jam i lumtur në përgjithësi. Është një javë shumë e rëndësishme dhe të mërkurën kemi një përballje të madhe ku duhet të japim maksimumin”, u shpreh Flick.
Ai foli edhe për rikthimin e Gavit dhe Pedrit:
“Është fantastike që Gavi u rikthye. Stafi mjekësor ka bërë një punë të shkëlqyer. Ai ka teknikë të lartë, pasim të mirë dhe është i fortë në duelet ‘një kundër një’… jemi të gjithë të lumtur që e kemi sërish”
Sa i përket formës fizike të Pedrit, Flick u tregua i kujdesshëm:
“Nuk e di se kur do të jetë gati për 90 minuta; do të ecim hap pas hapi. Jam i lumtur që e kam në dispozicion, qoftë për 45, 60 apo 90 minuta. Duhet t’i menaxhojmë me kujdes lëndimet që ka kaluar”
