Fushë Kosova fiton në tavolinë ndaj Ulpianës

Derbi i Ligës së Parë, ndërmjet Fushë Kosovës dhe Ulpianës, i cili ishte mbyllur me rezultat bindës 3:0 në dobi të skuadrës lipjanase, është regjistruar me rezultat zyrtar 3:0, në dobi të Fushë Kosovës. Komisioni i Garave i FFK-së në mbledhjen e mbajtur të martën, pasi e ka shqyrtuar ankesën e Fushë Kosovës, e ka vlerësuar atë si të bazuar dhe si rrjedhojë ndeshjen e ka regjistruar me rezultat zyrtar.
“Komisioni i Garave në seancë e vet të mbajtur me datë 04.04.2023 ,me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “Fushë Kosova” – KF “Ulpiana“, e vlefshme për javën e 20-të të Ligës së Parë të Kosovës, Grupi (B), konstatoi se KF “Fushë-Kosova” ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes në këtë ndeshje të lojtarit të KF “Ulpiana“, Ardian Musliu –me nr . licence-2 dhe me ID-nr. 00174M97, për shkak se lojtari është aktivizuar pa të drejtë në lojë, pasi që paraprakisht në javën e 19 është ndëshkuar me kartonin e katërt të verdhë dhe ka pasur detyrim që javën e 20 të mos aktivizohet në lojë (të pushojë). Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se: Për Komisionin e Garave, sipas nenit 71, paragrafi 1 të Rregullores së Garave janë përmbush të gjitha kushtet për administrim dhe vendim marrje lidhur me ankesën. Komisioni i Garave pas shikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve ka vërtetuar se lojtari i lart theksuar ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë, në javën e 12,14,17,dhe 19 dhe pa të drejtë është aktivizuar në javën e 20-të, kështu që ka bërë shkelje të nenit 56, Paragrafi 1 të Propozicionit të Garave – Lojtari i ndëshkuar me katër (4) kartonë të verdhë, pushon automatikisht xhiron e radhës, prandaj ankesa e KF “Fushë Kosova” miratohet si e bazuar dhe ndeshja e javës së 20-të KF “Fushë Kosova” – KF “Ulpiana“ regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Fushë Kosova“”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave.
Regjistrimi i kësaj ndeshje me rezultat zyrtar ia mundëson Fushë Kosovës që të rikthehet në pozitën e parë, me 45 pikë, duke qenë madje tani pesë pikë para Ulpianës dhe duke qenë shumë më afër realizimit të objektivit për rikthim në elitë, ndonëse deri në fund të kampionatit ende kanë mbetur të zhvillohen edhe shumë ndeshje.