Fratessi vendimtar në fund, Interi triumfon në Munih dhe afrohet me gjysmëfinalen
Interi ka bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, falë fitores 2:1 ndaj Bayern Munichut në ndeshjen e parë çerekfinale, të zhvilluar të martën mbrëma në “Allianz Arena”.
Heroi i zikaltërve ishte Davide Fratessi, i cili realizoi golin e fitores në minutën e 88-të, vetëm pak çaste pasi bavarezët kishin barazuar rezultatin.
Goli i Fratessit erdhi në momentin më të duhur për skuadrën e Simone Inzaghit, që tani do të jetë nikoqire në sfidën e kthimit javën e ardhshme në “San Siro”, me një epërsi të vlefshme dhe një pozitë shumë të favorshme për kualifikim në katërshen më të mirë të Evropës.
Interi e kishte nisur më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 38-të me një gol të bukur të Lautaro Martinez, i cili përfitoi nga një asistim elegant i Marcus Thuram.
Bayerni arriti të rikthehet në lojë në minutën e 85-të përmes Thomas Muller, që pritet të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni. Por gëzimi i vendasve zgjati shumë pak, pasi vetëm tri minuta më vonë, Fratessi ndëshkoi mbrojtjen gjermane me një goditje të saktë.
Tani, Interi ka gjithçka në dorë për të siguruar kalimin në gjysmëfinale, ndërkohë që Bayerni do të duhet të bëjë një ndeshje të madhe në “San Siro” për të përmbysur rezultatin.
