Flick: Barça nuk do të humbasë lojtarë në ditët e fundit të merkatos
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, tha të premten se nuk dëshiron të humbasë asnjë lojtar në ditët e fundit të merkatos, duke i mbyllur derën largimeve të mundshme të mesfushorëve Fermín López dhe Marc Casadó, për të cilët ka pasur interesim nga disa klube.
“Kam folur me Casadón. Nuk mendoj se ai dëshiron të largohet dhe unë e dua këtu, sepse kemi një sezon të vështirë përpara dhe na duhen të gjithë lojtarët”, tha Flick. “Ai i jep besim grupit dhe na ndihmon në objektivat tona”.
Flick gjithashtu tha se shpreson të ketë në dispozicion Gerard Martín për ndeshjen e së shtunës kundër Levantes. “Shpresoj të jetë gati. Kam folur me të. Do të shohim”, u shpreh ai.
Në lidhje me mungesën e Frenkie de Jong për arsye familjare, trajneri gjerman refuzoi të jepte detaje, duke thënë se “nuk flet për këto tema”.
Pas fitores 3-0 ndaj Mallorcës në hapje të kampionatit, Flick pranoi se ekipi duhet të përmirësohet. “Jemi të kënaqur me tri pikët, por duhet të japim më shumë, sidomos në këto ndeshje. U thashë lojtarëve se duhet të përqendrohen gjithmonë te plani i lojës”.
Trajneri la të hapur mundësinë që Robert Lewandowski të marrë minuta në ndeshjen e radhës, ndërsa për alternativat si Gavi, Ferran Torres dhe Marcus Rashford, Flick tha se “ofrojnë shumë opsione”.
Në lidhje me kritikat për jetën private të Lamine Yamal, 18-vjeçarit, Flick u shpreh: “Ai është fantastik dhe unë do ta ndihmoj të përmirësohet. Sjellja e tij është e shkëlqyer”.
