FIFA nis procedurat kundër Serbisë pas ankesës së FFK-së

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka akuzuar Federatën e Futbollit të Serbisë (FFS) për shfaqjen e flamurin politik lidhur me Kosovën. Pankarta është varur në dhomën e zhveshjes së Serbisë para ndeshjes kundër Brazilit në Kupën e Botës në Katar.
Në dhomën e zhveshjes është varur flamuri me hartën e Kosovës me ngjyrat serbe dhe mbishkrimi “Nuk ka dorëzim”.
Serbia në fund u gjunjëzua nga Brazili 2:0, por tani pritet ta pësojë edhe nga FIFA.
Të premten, FFK paraqiti ankesë në FIFA, duke e vlerësuar këtë akt primitiv, të ulët dhe agresiv, derisa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Kupa e Botës po përdoret për të promovuar mesazhe ksenofobike, gjenocidale dhe urrejtjeje ndaj Kosovës.
FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që përfshin “sjelljen e keqe, duke përfshirë gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe promovimin e çështjeve që nuk kanë lidhje me sportin.
Federata Botërore e Futbollit nuk ka bërë të ditur se kur do ta shpallë vendimin lidhur me procedurën disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, teksa kombëtarja serbe të hënën në orën 11:00 luan ndeshjen e radhës kundër Kamerunit.
Futbollistët serbë kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjen e gazetarit amerikan në konferencë për media se për çfarë arsye e ndërmorën një hap të tillë para ndeshjes kundër Brazilit, teksa zëdhënësi i FFS-së theksoi se në konferencë nuk flasin për çështje që nuk kanë të bëjnë me futbollin.