FFK nis javën ‘Grassroots’ në Mitrovicën e Veriut
Java e Grassroots ka nisur sot me një atmosferë të veçantë në Mitrovicën e Veriut, duke shënuar një fillim të mbarë për një javë të mbushur me aktivitete që kanë në qendër fëmijët, të rinjtë dhe dashurinë për futbollin.
Në hapje të javës ‘Grassroots’ mori pjesë edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili me praninë e tij i dha shtysë kësaj ngjarje të rëndësishme që synon të sjellë bashkim, respekt dhe mirëkuptim përmes futbollit.
Atmosfera gjatë këtij aktiviteti ishte e mbushur me entuziazëm, ku dhjetëra të rinj e të reja nga komunitete të ndryshme u bashkuan në fushë për të luajtur dhe për të ndërtuar ura miqësie, duke treguar edhe njëherë fuqinë e futbollit si mjet për integrim dhe bashkëjetesë.
Ky njëherësh ishte aktiviteti i parë i këtij lloji në Mitrovicën e Veriut.
“Me futbollin si gjuhë të përbashkët të respektit, e nisëm Javën e Grassroots sot në Mitrovicën e Veriut. Kënaqësi dhe nder i veçantë të jem pjesë e këtij aktiviteti, ku fëmijët u bashkuan në fushë për të përjetuar emocionin që vetëm futbolli mund ta sjellë. Grassroots nuk është vetëm lojë futbolli, është edukim, zhvillim dhe bashkim. Është themeli mbi të cilin ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë – futbollistët e së ardhmes”, theksoi presidenti Ademi.
Ky aktivitet shënon vetëm fillimin e një jave të mbushur me ngjarje të ndryshme që do të zhvillohen në qytete të ndryshme të Kosovës, duke rikujtuar edhe njëherë se magjia e futbollit është një forcë e madhe që bashkon të gjithë pa dallim.









