Ferizaj dhe Dukagjini festojnë, Ballkani ndalet nga Malisheva
AlbiMall Superliga e Kosovës dhuroi emocione të forta këtë të diel, ku Ferizaj dhe Dukagjini dolën fitues, ndërsa nënkampioni në fuqi, Ballkani, u ndal në barazim në shtëpi nga Malisheva.
Në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Ferizaj regjistroi fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur Prishtinën e Re me shifrat 1:0. Ndeshja u vendos nga një autogol i qendërmbrojtësit Elvis Prençi në minutën e 63-të. Me këtë triumf, skuadra e Arsim Abazit ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve pas dy ndeshjeve të para, duke konfirmuar startin perfekt të sezonit.
Ndërkohë, Dukagjini ia doli të marrë tri pikët e para të kampionatit, duke e mposhtur Gjilanin 2:0 në stadiumin “18 Qershori”. Golin e parë e realizoi me kokë Mërgim Pefqeli në minutën e 34-t, ndërsa Iljasa Zulfiu vulosi gjithçka në kohën shtesë me një goditje precize.
Në anën tjetër, Ballkani nuk arriti të shënojë fitoren e parë para tifozëve të vet. Kampionët në fuqi u befasuan nga Malisheva që kaloi në avantazh me golin e Altin Aliut në minutën e 11-të. Megjithatë, braziliani Giovanni barazoi shifrat në minutën e 62-të, duke i dhënë një pikë të vlefshme skuadrës suharekase.
Më vonë sonte, në stadiumin “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet një tjetër përballje e fortë, Prishtina – Llapi, derisa ndeshja mes Dritës dhe Drenicës është shtyrë për shkak të angazhimit të gjilanasve në garat evropiane.
