Ermal Krasniqi ua kujton rumunëve: Kosova, shtet i pavarur nga 2008-a

Ermal Krasniqi të premten e ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë të muajit shkurt te skuadra e Clujit të Rumanisë, me votat e tifozëve.
Në muajin shkurt, Krasniqi 24-vjeçar pati një gol të shënuar në elitën e futbollit rumun, ndërsa la përshtypje të madhe në paraqitjet kundër Lazios, në 1/16-tën e finales në Ligën e Konferencës.
Sulmuesi i krahut në pyetjet e tifozëve ka treguar për rrugëtimin e tij në futboll, ndërsa ka thënë se pret edhe ftesën nga përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse.
Me Kosovën ka zhvilluar një ndeshje miqësore, atë kundër Ishujve Faroe që përfundoi 1:1. Krasniqi luajti në tërë takimin.
“Normalisht, jam në formë të mirë tani dhe po pres ftesën nga Kosova. Dhe është kënaqësi e veçantë të luajë për shtetin tim”, ka thënë Krasniqi në një prej shumë pyetjeve që kishin ardhur në drejtim të tij.
Krasniqi ka folur edhe për Kosovën, shtet të cilin Rumania, prej nga vjen klubi i Clujit e luan ai, nuk e njeh si të pavarur.
“Kosova është një vend i vjetër dhe me kombësi shqiptare, multietnike, me tolerancë të madhe fetare. Më 17 shkurt 2008 ka fituar pavarësinë. Ka kulturë të veçantë, me ushqime dhe me muzikë tradicionale”, theksoi ai.
Kosova e Rumania janë të njëjtin grup të kualifikimeve për EURO 2024.
Sulmuesi i krahut të majtë ka treguar se skuadra e preferuar e tij është Barcelona, ndërsa lojtari i preferuar është Lionel Messi.
Krasniqi nuk e ka pritur që një ditë do të transferohej te Cluji i Rumanisë.
Ai ka thënë se i është falënderues familjes së tij që e ka përkrahur vazhdimisht të merret me futboll.
Ka treguar se është pritur shumë mirë te Cluji dhe se po ndihet si në shtëpi.
“Për mua ka qenë një moment i veçantë sepse e kam ditur që është një hap i madh në karrierën time dhe në ndeshjet që i kemi zhvilluar në Ligën e Konferencës më kanë lënë përshtypje shumë të mirë për klubin”, nënvizoi Krasniqi.
Krasniqi shkëlqeu në fazën grupore të Ligës së Konferencës me Ballkanin, ku realizoi dy gola e një asistim në pesë ndeshje në të cilat luajti ai.
Paraqitjet e tij të mira ranë në sytë e Clujit, që e transferoi në janar të këtij viti.
“Të them të drejtën nuk më besohej edhe shumë por, normalisht se jam ndier shumë mirë sepse të luash për kampionin e Rumanisë është ndjenjë shumë e mirë”, përfundoi ai.
Prej transferimit te kampioni i Rumanisë, Cluji, Krasniqi në ligë ka realizuar tri gola dhe e ka një asistim./Koha.net/