February 19, 2025

E turpshme/ Topat e Superligës vihen në shitje në internet

Federata e Futbollit e Kosovës ka një vit që ka brenduar topin e Superligës. Për herë të parë të gjitha skuadrat elitare luajnë me topin e njëjtë, gjë e cila është mirëpritur nga klubet por edhe komuniteti i futbollit në përgjithësi. Për t’i qëndruar sa më afër klubeve, FFK secilës prej tyre u ka dhuruar sasinë e nevojshme të topave të brenduar për zhvillimin e ndeshjeve.

Megjithatë, edhe këtu keqpërdoruesit e kanë shfrytëzuar rastin, me synim përfitimi. Në fakt, topat e brenduar të Superligës, të cilët janë dhuruar nga FFK, kanë përfunduar në shitje online. Në faqen e specializuar të shitjeve “Merr Jep”, një qytetar me emrin Endrit, ka vendosur topin e brenduar në shitje me çmim prej 180 euro.

Në kontaktin që kishim me të, ai fillimisht theksoi se topi është i papërdorur dhe e ka marrë dhuratë, por në kërkesën tonë për ndonjë top tjetër të tillë ai u përgjigj pozitivisht, madje duke bërë zbritje në çmim “2 copa = 280 euro”. Një gjë e tillë është e turpshme, aq më parë që shumë klubeve kanë mungesë të pajisjeve elementare për zhvillimin e aktivitetit, e shumë prej tyre vuajnë edhe për topa të futbollit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *