E dhimbshme, Diogo Jota dhe vëllai i tij humbin jetën në një aksident në Spanjë
Ylli portugez Diogo Jota, futbollist i njohur i Liverpoolit dhe kombëtares së Portugalisë, ka ndërruar jetë në një aksident trafiku në Spanjë, bashkë me vëllain e tij, Andre Felipe. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga ‘Guardia Civil’ për BBC.
Sipas deklaratës së dhënë nga autoritetet spanjolle, aksidenti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, rreth orës 01:30, në komunën Cernadilla të provincës Zamora. Automjeti me të cilin po udhëtonin vëllezërit, një Lamborghini, doli nga rruga për shkak të një shpërthimi të gomës gjatë një parakalimi. Si pasojë, makina u përfshi nga flakët dhe të dy personat në bord humbën jetën.
“Makina ishte një Lamborghini. Aksidenti ndodhi kur ajo doli nga rruga për shkak të shpërthimit të gomës gjatë parakalimit. Makina u përfshi nga flakët dhe të dy personat humbën jetën”, thuhet në deklaratën e autoriteteve spanjolle.
Kur u pyetën për identitetin e viktimave, autoritetet spanjolle konfirmuan: “Lojtari dhe vëllai i tij, Andre Silva”, raporton BBC.
Aksidenti ndodhi më pak se dy javë pas ditës së martesës së Diogo Jotës me partneren e tij, Rute Cardoso, më 22 qershor 2025. Çifti kishte ndarë një postim emocionues në rrjetet sociale me mbishkrimin: “Po, përgjithmonë.”
Lajmi ka tronditur botën e futbollit dhe më gjerë, ndërsa priten reagime nga klubi i tij, Federata Portugeze e Futbollit dhe bashkëlojtarët.
