Dukagjini merr kreun, Malisheva trondit Gjilanin, Serebe me ‘hat-trick’
AlbiMall Superliga e Kosovës në futboll ka dhuruar emocione të forta në xhiron e katërt, ku Dukagjini ka marrë kryesimin, Ballkani ka vazhduar marshin e fitoreve, Malisheva ka befasuar në Gjilan, ndërsa Llapi ende mbetet pa fitore.
Dukagjini në krye pas fitores ndaj Ferizajt
Skuadra e Ismet Munishit ka triumfuar 2:0 ndaj Ferizajt në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.
Iljasa Zulfiu zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të, ndërsa Egzon Sinani në minutën e 90-të vulosi suksesin e tretë radhazi të klinasve. Ferizaj nga pjesa e dytë mbeti me një futbollist më pak dhe nuk arriti të rikthehej në lojë. Pas kësaj humbjeje të dytë radhazi, ferizajasit kanë gjashtë pikë dhe gjenden në pozitën e pestë.
Prishtina e Re ngrihet, Llapi zhgënjen sërish
Në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit, Prishtina e Re shënoi fitoren e parë pas dy humbjeve radhazi, duke mposhtur Llapin 1:0. Toni Gomes ishte vendimtar me golin e tij në minutën e 13-të. Edhe pse luajti me një lojtar më pak që nga pjesa e parë, skuadra e Elon Berishës arriti ta menaxhojë rezultatin deri në fund.
Ndërkohë, Llapi i Tahir Batatinës vazhdon krizën – dy barazime dhe dy humbje në katër ndeshjet e para.
Serebe “i zjarrtë”, Ballkani pa mëshirë për Drenicën
Kampioni në fuqi, Ballkani, dëshmoi sërish forcën e tij, duke fituar 3:0 ndaj Drenicës në Suharekë. Valentin Serebe ishte lojtari i ndeshjes me het-trik (45+5’, 48’, 90+4’), duke arritur në pesë gola personalisht dhe duke u vendosur në krye të listës së golashënuesve. Portokallezinjtë e Ilir Dajës mbeten të pamposhtur pas katër javëve dhe konfirmohen si pretendentë kryesorë për titull.
Malisheva befason në Gjilan
Në një nga surprizat e javës, Malisheva triumfoi 3:1 ndaj Gjilanit në stadiumin e qytetit.
Mevlan Zeka shënoi herët për mysafirët, ndërsa Armend Thaqi barazoi për Gjilanin. Por në pjesën e dytë, Malisheva goditi dy herë brenda pesë minutave me Samuel Opeh (72’) dhe Altin Aliu (77’), duke marrë fitoren e parë të sezonit. Të dyja skuadrat tani kanë nga katër pikë, ashtu si edhe Drenica.
Derbi Prishtina – Drita mbyll xhiron
Xhiro e katërt do të kompletohet në orët e mbrëmjes (20:15) me super-derbin ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, një duel që pritet të sjellë atmosferë të veçantë dhe të ndikojë drejtpërdrejt në garën për kreun e tabelës.
