Drita vetëm barazim në Maltë

Kampionia e Kosovës, Drita, ka nxjerrë një barazim 1:1 në përballjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League ndaj Florianas, në një ndeshje të zhvilluar në Maltë, e cila u karakterizua edhe nga ndërprerjet e shumta për shkak të problemeve me energjinë elektrike.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndonëse të dyja skuadrat krijuan raste. Drita iu afrua golit me Vesel Limajn, ndërsa vendasve iu anulua një gol i Carlo Lonardellit për pozitë jashtë loje.

Në pjesën e dytë, takimi u ndërpre tri herë pasi reflektorët e stadiumit u fikën, duke shkaktuar vonesa në zhvillimin e ndeshjes.

Kur dukej se sfida do të përfundonte pa gola, Drita kaloi në epërsi në minutën e 96-të. Pas një asistimi të Blerim Krasniqit, Liridon Balaj realizoi me mjeshtëri, duke i dhënë avantazhin kampiones së Kosovës.

Megjithatë, epërsia e gjilanasve zgjati vetëm pak minuta. Në minutën e 102-të, Amar Drina shënoi golin e barazimit për Florianan, duke vulosur rezultatin përfundimtar 1:1.

Pavarësisht zhgënjimit për golin e pranuar në fund, Drita largohet nga Malta me një rezultat që e lë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Drita do të synojë ta sigurojë kalimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *