Drita triumfon në Superkupë pas përmbysjes ndaj Prishtinës
Drita ka fituar Superkupën e Kosovës, duke e mposhtur Prishtinën me rezultat 2:1 në një ndeshje dramatike të zhvilluar në “Mardan Sports Complex” në Antalya të Turqisë.
Skuadra nga Gjilani arriti trofeun pas një përmbysjeje, ndonëse ishte Prishtina ajo që kaloi e para në epërsi. Leotrim Kryeziu realizoi golin e avantazhit për bardhekaltrit në minutën e 8-të, por reagimi i Dritës nuk vonoi.
Besnik Krasniqi barazoi shifrat në minutën e 39-të, ndërsa momenti kyç i ndeshjes erdhi në fund të pjesës së parë. Mesfushori i Prishtinës, Harun Kariq, u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 45-të, pasi ndali në mënyrë të parregullt një kundërsulm të shpejtë të Dritës.
Me një lojtar më shumë në fushë, Drita e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 50-të, Kristal Abazaj realizoi golin e fitores, duke i siguruar skuadrës së drejtuar nga Zekirija Ramadani trofeun e dytë të Superkupës në histori.
Për herë të parë, Drita e kishte fituar Superkupën në edicionin 2018/2019. Në anën tjetër, Prishtina mbetet klubi më i trofeshëm i kësaj gare me gjithsej 11 Superkupa të fituara.
Drita hyn në këtë edicion si kampione në fuqi e Superligës së Kosovës, ndërsa Prishtina është fituese aktuale e Kupës së Kosovës. Në kampionat, Prishtina e ka mbyllur sezonin vjeshtor në vendin e dytë me 30 pikë, tri më pak se lideri Ballkani. Drita, ndërkohë, renditet në pozitën e katërt me 29 pikë.
