Drita sonte përballë historisë në Luksemburg, synon kalimin në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve
Pas fitores minimale 1:0 në ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, kampionia e Kosovës, FC Drita, do të zbresë sonte në fushën e Differdange në përballjen e kthimit të raundit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani ka udhëtuar drejt Luksemburgut me besim dhe motivim të lartë për të përmbyllur misionin e nisur në Prishtinë dhe për të siguruar kualifikimin në raundin e dytë, që do të ishte një tjetër hap i madh për klubin gjilanas në arenën ndërkombëtare.
Drita e ka të qartë detyrën, të menaxhojë avantazhin e fituar nga ndeshja e parë (1:0) dhe të kërkojë një rezultat pozitiv përballë kampionëve të Luksemburgut, Differdange, të cilët pritet të shfrytëzojnë në maksimum terrenin vendas dhe përkrahjen e tifozëve për ta përmbysur disavantazhin.
Gjilanasit, megjithatë, janë përgatitur seriozisht për këtë sfidë dhe duken të vendosur të mos dorëzohen lehtë. Stërvitja e fundit u zhvillua mbrëmë në Luksemburg dhe sipas njoftimit nga klubi, atmosfera në ekip është shumë pozitive.
“Energjia dhe entuziazmi i ekipit ishte në nivele të larta”, thuhet në komunikatën zyrtare të Dritës.
Edhe pse kanë epërsinë prej një goli, bardhekaltrit janë të vetëdijshëm se asgjë nuk është vendosur ende. Një gol i Differdange do ta barazonte rezultatin e përgjithshëm, duke futur sfidën në një fazë të re psikologjike dhe taktike.
Ramadani dhe djemtë e tij do të tentojnë të jenë të disiplinuar taktikisht dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi në kundërsulm për ta mbyllur ndeshjen në favorin e tyre.
Përballja vendimtare Differdange – Drita zhvillohet sonte (e martë) në orën 20:00 në Luksemburg.
