Drita, Shkëndija dhe Dinamo City në misionin evropian
Mbrëmja e sotme pritet të jetë elektrizuese për futbollin shqiptar. Tri skuadra shqiptare, Drita, Shkëndija dhe Dinamo City, zbresin në fushën e gjelbër me synimin për të shkruar historinë në garat evropiane.
Drita e Zekirija Ramadanit rikthehet në stadiumin “Fadil Vokrri” ku nga ora 20:00 do të përballet me Differdange 03 nga Luksemburgu. Gjilanasit e njohin mirë këtë kundërshtar, pasi e kishin eliminuar më herët gjatë kësaj vere në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Tani synimi është i qartë; një tjetër fitore për të bërë hapin e madh drejt fazës së grupeve të Ligës së Konferencës. Mungesë e madhe te gjilanasit është kapiteni Rron Broja, i cili në ndeshjen e kaluar ndaj skuadrës rumune, FCSB u ndëshkua me karton të kuq.
Dinamo City e Ilir Dajës, pas eliminimit historik të Hajdukut të Splitit, sonte do të provojë të dëshmojë vlerat e saj edhe në Poloni. Në Bialystok, nga ora 20:15, ajo përballet me Jagiellonian, duke kërkuar të mbajë gjallë ëndrrën e madhe evropiane, ndonëse në këtë ndeshje luan pa sulmuesin kosovar, Baton Zabërgja, i cili dje u prezantua te skuadra ukrainase, Metalist.Shkëndija e Tetovës, nën drejtimin e Jeton Beqirit, do të përpiqet të thyejë barrierën e madhe dhe të futet për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Nga ora 20:00, në Shkup, kuqezinjtë përballen me skuadrën bullgare Ludogorets Razgrad, një sfidë sa e vështirë aq edhe historike.
