Drita kampione e Kosovës – i jep fund dominimit të Ballkanit

Drita e Gjilanit është shpallur kampione e Kosovës në futboll për edicionin 2024/25, duke siguruar titullin e katërt në histori katër xhiro para përfundimit të kampionatit në Albi Mall Superligë.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani e vulosi titullin të dielën me fitoren minimale 1:0 ndaj Llapit, në ndeshjen e javës së 32-të të zhvilluar në Gjilan. Golin vendimtar e realizoi Iljasa Zulfiu në minutën e 84-t, pas një goditjeje dënimi të saktë.
Me këtë fitore, Drita arrin në kuotën e 69 pikëve, 12 më shumë se Ballkani i vendit të dytë, dhe me tri fitore direkte ndaj suharekasve, siguron matematikisht titullin edhe në rast të barazimit eventual të pikëve në fund të sezonit.
Ky është titulli i katërt kampion për Dritën në histori. Gjilanasit më parë ishin shpallur kampionë në vitet 2003, 2018 dhe 2020. Me këtë sukses, Drita bëhet skuadra e dytë më e trofeshme në Superligë, duke kaluar Ballkanin, Feronikelin dhe Besën e Pejës që kanë nga tre tituj secila. Prishtina vazhdon të mbetet skuadra më e suksesshme me 11 tituj të kampionit.
Titulli i sivjetmë i jep fund dominimit të Ballkanit në futbollin kosovar, pasi suharekasit i kishin fituar tri edicionet e fundit. Drita, nga ana tjetër, ka pasur një sezon mbresëlënës, duke ndërtuar gradualisht epërsinë ndaj rivalëve dhe duke dominuar garën për titull që nga mesi i sezonit.