Drita, Gjilani e Drenica arkëtojnë nga tri pikë të rëndësishme

Drita ka fituar ndaj Llapit në kuadër të xhiros së 23-të në Albi Mall Superligë. Skuadra e Arsim Thaçit fitoi ndaj Llapit, me rezultat 2:0.
Kapiteni i Llapit, Kushtrim Shabani shënoi autogol në minutën e 47-të, ndërsa për 2:0 realizoi Almir Ajzeraj, në minutën e tretë të shtesës.
Me këtë fitore, Drita tani shkon në kuotën e 47 pikëve, kurse Llapi mbetet me 29 pikë në mesin e tabelës.
Gjilani ka fituar si mysafir kundër Dukagjinit në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me rezultatin 1:0, duke e përfocuar pozitën e tretë në renditje. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 44-t nga Mevlan Zeka me kokë, i cili u asistua nga Baton Zabërgja. Ky ishte goli i dytë i Zekës në këtë sezon.
Trajneri Bledar Devolli ka debutuar me fitore në rikthimin e tij në krye të skuadrës së Drenicës. Kuqezinjtë e Skenderajt, të shtunën në stadiumin “Bajram Aliu” fituan ndaj Ferizajt 1:0. Për Ferizajn ishte humbja e parë në stinorin pranveror, pas dy fitoreve e dy barazimeve. Golin e fitores në këtë ballafaqim e shënoi Bintsouka Koxy, në minutën e 55-të. Drenica tani ka 23 pikë në po aq ndeshje të zhvilluara, kurse Ferizaj bie sërish në vendin e fundit dhe mbetet me 21 pikë.