Dardanet U15 triumfojnë ndaj Maltës
Kombëtarja e Kosovës U15 e vajzave ka shënuar edhe një fitore bindëse në turneun zhvillimor të UEFA-s, që po mbahet në Maltë. Dardanet triumfuan ndaj nikoqireve me rezultat 5:2, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në këtë turne.
Ndeshja nisi më mirë për Maltën, e cila shënoi dy herë në pjesën e parë, në minutat 13 dhe 18.
Megjithatë, vajzat e Kosovës treguan karakter të fortë dhe përmbysën rezultatin me një paraqitje të shkëlqyeshme në pjesën e dytë.
Nerënxa Kuçi dhe Celine Halimi realizuan nga dy gola, ndërsa një gol e shënoi Fjona Imeri, duke kontribuar në fitoren e merituar të Dardaneve.
Kosova e kishte nisur turneun me fitore para dy ditësh, 3:1 ndaj Ishujve Faroe, ku golashënuese ishin Nerënxa Kuçi dhe Kjara Dubova.
Ndeshjen e fundit në kuadër të këtij turneu, Kombëtarja e Kosovës U15 e vajzave do ta zhvillojë më 19 tetor, në orën 10:00, kundër Estonisë.
