“Dardanët”: S’ka më bileta për ndeshjen ndaj Sllovakisë
Tifogrupi “Dardanët” ka njoftuar se nuk ka mbetur asnjë biletë në dispozicion për ndeshjen historike të Kosovës ndaj Sllovakisë, në plejofin për kualifikim në Botërorin 2026.
Ndeshja e 26 marsit ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm në Kosovë. Rreth 1100 bileta i ishin dhënë Federatës së Futbollit të Kosovës e tash kur kanë mbetur më shumë se dy javë, nuk ka më në dispozicion.
“‘SOLD-OUT’ për sfidën ndaj Sllovakisë. Të dashur tifozë, Nuk ka më bileta për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Si tifogrup veçse kemi marrë listën e emrave të atyre që kanë rezervuar biletë për sfidën historike të 26 marsit nga ato sa na janë garantuar sipas rregullave për tribunat mysafire. Andaj, kërkojmë mirëkuptim për faktin se nga SOT E TUTJE nuk mund të shqyrtojmë asnjë kërkesë për biletë. Gjithsesi, duhet thënë që abonimet vjetore vazhdojnë, andaj për të përfituar nga duelet e ardhshme të kombëtares, vijoni me regjistrimet”, thuhet në një njoftim të “Dardanëve” të martën.
Është pritur interesim i madh pas rezultateve pozitive të Kosovës. Kosova kishte përkrahje të madhe edhe në Lubjanë, Goteborg e Basel.
Federata e Futbollit e Sllovakisë mori masa që biletat e saj të mos përfundojnë te tifozët e Kosovës. Stadiumi Nacional në Bratislavë ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve. Pesë për qind të biletave u takojnë tifozëve të Kosovës. Nëse Kosova fiton ndaj Sllovakisë, finalen e plejofit e luan më 31 mars në “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë apo Rumanisë.