Carrick i kënaqur pas fitores në derbi: Treguam karakter dhe disiplinë
Trajneri i përkohshëm i Manchester United, Michael Carrick, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores 2-0 ndaj Manchester Cityt në derbin e qytetit.
United arriti një fitore të rëndësishme, e cila sipas Carrick nuk u reflektua plotësisht në rezultat, pasi “Djajtë e Kuq” krijuan raste edhe për një epërsi më të thellë. Për ish-mesfushorin, kjo ndeshje shënoi një debutim të suksesshëm në stolin e një prej klubeve më të mëdha të Premier League.
“Kjo është një fitore shumë e madhe për ne, jo vetëm për rezultatin, por sidomos për mënyrën se si luajtëm. Ishim të disiplinuar, të guximshëm dhe funksionuam si një ekip i vërtetë. Kundër Manchester Cityt duhet përqendrim maksimal gjatë gjithë 90 minutave dhe lojtarët e përmbushën plotësisht këtë kërkesë”, deklaroi Carrick.
Ai vlerësoi edhe pjekurinë dhe durimin e skuadrës në momentet vendimtare të ndeshjes, duke theksuar se kjo fitore duhet të shërbejë si motivim për vazhdimësinë.
“Nuk duhet të rrëmbehemi, janë vetëm tre pikë. Megjithatë, fitore të tilla na japin besim dhe tregojnë se jemi në drejtimin e duhur. Urime lojtarëve dhe tifozëve, mbështetja e tyre ishte fantastike dhe na dha energji shtesë”, shtoi ai.
Kjo ishte fitorja e nëntë e Manchester United këtë sezon, një rezultat që, pavarësisht luhatjeve të deritanishme, rrit shpresat për përmirësim të formës dhe rezultateve në ndeshjet e ardhshme.
