Bruno Fernandes ka konfirmuar se bisedimet për rinovimin e kontratës me Manchester Unitedin janë pezulluar, duke bërë të ditur se për momentin dëshiron të përqendrohet vetëm te paraqitjet në fushë.
“Negociatat për kontratën time janë në ngërç. Aktualisht nuk po negociojmë”, deklaroi mesfushori portugez.
Kontrata e Fernandesit me “Djajtë e Kuq” skadon më 30 qershor 2027, ndërsa klubi ka mundësinë ta zgjasë atë edhe për një sezon. Sipas lojtarit, Unitedi tashmë i ka ofruar një kontratë të re, por ai ka vendosur të mos nxitohet me vendimin.
“Klubi më ofroi rinovimin, por vendosa të prisja dhe t’i lija gjërat pezull, në mënyrë që të përqendrohesha në fushë”, u shpreh ai.
Kapiteni i Unitedit theksoi se gjatë viteve të fundit ka pasur disa mundësi për t’u larguar, përfshirë oferta financiarisht më të favorshme, por gjithmonë ka zgjedhur të qëndrojë në Manchester.
“Nëse do të dëshiroja të largohesha, mund ta kisha bërë verën e kaluar, dy vjet më parë apo edhe tre vjet më parë. Gjithmonë ka pasur oferta të rëndësishme dhe mund të isha larguar për të fituar shumë më tepër. Megjithatë, gjithmonë kam zgjedhur të qëndroj”, deklaroi Fernandes.
Ai gjithashtu theksoi se nuk dëshiron të bëhet pengesë për klubin dhe se do të largohej nëse drejtuesit nuk do ta konsideronin më pjesë të planeve të tyre.
“Nëse Manchester Unitedi nuk më dëshiron më, do të largohem menjëherë, pa pritur përfundimin e kontratës. Nuk do të krijoj kurrë probleme”, përfundoi portugezi.