Besar Musolli pensionohet nga futbolli, Llapi e emëron drejtor sportiv

Besar Musolli i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist, pas shumë vitesh të mbushura me sakrificë, përkushtim dhe momente të paharrueshme në futbollin kosovar dhe atë rajonal.

Musolli, një nga emrat e respektuar të futbollit vendor, ka vendosur ta mbyllë kapitullin si lojtar aktiv, duke e cilësuar futbollin si një rrugëtim që e ka formuar si njeri dhe sportist.

Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë pjesë e disa klubeve të njohura, përfshirë KF Hysin, FK Kukësin, SC Gjilanin dhe së fundmi KF Llapin, ku kaloi tri vitet e fundit të karrierës.

Një moment i veçantë në rrugëtimin e tij ka qenë edhe përfaqësimi i Kombëtares së Kosovës, ku Musolli pati mundësinë të kontribuojë në arenën ndërkombëtare dhe të mbrojë ngjyrat e vendit.

Në mesazhin e tij të lamtumirës, ai ka shprehur mirënjohje për familjen, trajnerët, bashkëlojtarët, stafet teknike, drejtuesit e klubeve dhe tifozët që e kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës.

Megjithatë, Musolli nuk do të largohet nga futbolli. Klubi i Llapit ka njoftuar se ish-mesfushori do të vazhdojë angazhimin në strukturat e klubit, pasi është emëruar zyrtarisht drejtor sportiv.

Sipas klubit nga Podujeva, vendimi për t’ia besuar Musollit këtë rol është marrë duke pasur parasysh eksperiencën e tij shumëvjeçare, profesionalizmin e treguar gjatë gjithë karrierës dhe njohjen e mirë të ambientit brenda klubit.

“Musolli ka qenë pjesë e rëndësishme e ekipit gjatë tri viteve të fundit dhe njeh në detaje filozofinë dhe objektivat e klubit tonë. Tashmë, në rolin e ri si drejtor sportiv, ai ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për kompletimin e skuadrës, duke punuar ngushtë me shtabin teknik në afrimin e futbollistëve cilësorë dhe përgatitjen sa më të mirë të ekipit për sezonin e ri”, thuhet në njoftimin e Llapit.

Kështu, pas përfundimit të karrierës si futbollist, Besar Musolli nis një kapitull të ri në futboll, këtë herë në rol drejtues te klubi i Llapit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *