Berisha: Të shohim paraqitjet e Kosovës, jo ato personale

Valon Berisha pranon se Zvicra e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës është favorite e grupit I të kualifikimeve për “Euro 2024”. Por, bashkë me Zvicrën pret që në Evropianin e ardhshëm të kualifikohet edhe Kosova, pjesë e të cilit është prej vitit 2016.
Shaqiri e Xhaka janë shtyllat e Përfaqësueses helevetike, ndërsa në ngjarjet e mëdha, Evropianë e Botërorë, janë përkrahur edhe nga lojtarët e Kosovës. Ndër përkrahësit e mëdhenj të Shaqirit dhe Xhakës është edhe ish-mesfushori i Norvegjisë, Valon Berisha.
Mesfushori me përvojë ka thënë se Kosova ka mundësinë për ta shkruar historinë. Pra, ta sigurojë për herë të parë kualifikimin në Evropian.
“E di që kemi mundësi të mira për t’u kualifikuar në këtë grup. Besoj se të gjithë e dimë se Zvicra është favorite për vendin e parë, por vendi i dytë është i mundshëm për t’u arritur. Nuk duhet ta shohim paraqitjen personale, por të Kosovës në këtë cikël. Duhet të luftojmë për njëri-tjetrin dhe mos t’i shohim meritat personale. Vetëm si ekip i bashkuar mund ta realizojmë ëndrrën”, ka thënë Berisha të dielën për KOHËN.
Ciklin e ri kualifikues, Kosova e nis në Tel-Aviv përballë Izraelit. Ndeshja zhvillohet më 25 mars, ndërsa tri ditë më pas Kosova luan në Prishtinë ndaj Andorrës.
“Fitorja është e mundshme ndaj çdo kundërshtari. E kemi treguar edhe në miqësore kundër Zvicrës. Shaqiri dhe Xhaka janë dy lojtarë që i kam mbështetur shumë dhe janë krenari për shumë shqiptarë për të arriturën e tyre. Kanë përfaqësuar gjithmonë Kosovën dhe gjithë shqiptarët në ngjarjet e mëdha”, është shprehur Berisha.
Pjesë e grupit I janë edhe Izraeli, Bjellorusia, Rumania dhe Andorra.
30-vjeçari insiston se Kosova ka gjasat e saj.
“Çdo rrugë e ka një shpërblim në fund, besoj që do të na shpërblehet edhe neve me kualifikim në Evropian”, ka deklaruar Berisha.
Berisha nuk e di nëse fushata kualifikuese për “Euro 2024” do të jetë e fundit për të me fanellën e Kosovës. Por thotë se do të mundohet ta mbajë formën e mirë edhe për 4 apo 5 vjetët e ardhshëm.
“Nëse kam shëndetin, e di që mund ta mbaj formën edhe për 4-5 vjet. Por, sigurisht se gjithçka ka një fund. Nuk jam unë që përcaktoj, por vendimet e trajnerit dhe Federatës”.
Berisha është në Përfaqësuese prej kur Kosova nisi me ndeshje kualifikuese. Ai ka luajtur 36 ndeshje, ndërsa ka shënuar katër gola.
Berisha la ekipin senior të Norvegjisë për t’iu bashkuar Kosovës.
“Ka shumë rëndësi ky cikël për mua dhe për lojtarët e tjerë që jemi më në moshë. Në ndeshjet e këtij cikli duhet të luajmë me zemër për të realizuar ëndrrën tonë, por edhe të çdo shqiptari që na mbështet”, ka thënë futbollisti që po luan në Australi. Ai është i huazuar te skuadra e Melbourne Cityt nga skuadra franceze Reims. Berisha thotë se do të kthehet në Francë gjatë qershorit. Me klubin francez ka kontratë deri në vitin 2024.
“Po kaloj më mirë se që kam pritur. Jam në formë shumë të mirë dhe pa lëndime një kohë të gjatë. Po luaj rregullisht me ritëm dhe paraqitje shumë të mira. Nuk i bie pishman asnjëherë që kam marrë këtë vendim”, ka thënë Berisha.
Ai kthehet te Kosova për ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2024”. Nuk ishte grumbulluar që nga qershori i vitit të kaluar.