Barcelona fiton bindshëm ndaj Rayo Vallecanos, shkëlqejnë Raphinha dhe Yamal
Barcelona ka shënuar fitore bindëse 5:2 ndaj Rayo Vallecanos, në kuadër të xhiros së tretë të La Ligës.
Rayo Vallecano kaloi i pari në epërsi në minutën e 12-të me anë të Sergio Camellos, por Barcelona reagoi shpejt. Vetëm shtatë minuta më vonë, Raphinha barazoi rezultatin.
Në minutën e 21-të, Lamine Yamal përmbysi rezultatin me një gol spektakolar, duke realizuar golin e tij të parë këtë sezon.
Barcelona e nisi fuqishëm edhe pjesën e dytë dhe pas gjashtë minutash shënoi për 3:1, pas një autogoli të Lejeune.
Camello shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 59-të, duke rikthyer Rayo Vallecanon në lojë, por Barcelona e kontrolloi situatën.
Raphinha shënoi golin e tij të dytë në minutën e 71-të, pas një asistimi spektakolar me thembër nga Gordon, ndërsa rezultatin përfundimtar 5:2 e vendosi Lamine Yamal në minutën e 90-të.
Me këtë fitore, Barcelona mbetet në krye të tabelës me 9 pikë, aq sa ka edhe Real Madridi. Rayo Vallecano mbetet në vendin e 18-të me vetëm një pikë.
