Ballkani shkëlqen në Champions, mposht Ludogoretsin
Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka shënuar fitore shumë të madhe të martën. Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Ballkani fitoi 2:0 ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogoretsit. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e kthimit është më 19 korrik në Razgrad të Bullgarisë. Deri në fazën e vonshme të ndeshjes, skuadra suharekase ka dominuar plotësisht në fushë. Ludogoretsi, që vlerësohej favorit, vetëm pas minutës së 70-të është shfaqur skuadër e rrezikshme. Ka provuar disa herë, i është afruar golit, por pa konkretizim. Kështu Ballkani është në pozitë shumë të mirë para ndeshjes së kthimit. Pas disa rasteve në pjesën e parë, Meriton Korenica shënoi për 1:0 në minutën e parë të kohës shtesë në pjesën e parë. Ludogoretsi në pjesën e parë nuk ka rrezikuar asnjëherë. Me lojë të mirë skuadra e Ilir Dajës vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 55-të , Lorenc Trashi krosoi bukur në zonë, ndërsa Qëndrim Zyba goditi edhe më bukur me kokë. Topi përfundoi në rrjetë për epërsinë prej 2:0 për Ballkanin. Më pas kampioni kosovar ka pasur edhe disa raste. Mundësinë më të mirë e kishte kapiteni Edvin Kuç në minutën e 62-të. Por ai dështoi nga afërsia. Më pas Ludogoretsi ka nisur të rrezikojë. Enea Koliçi megjithatë nuk ka lejuar të mposhtet. Ludogoretsi qëlloi shtyllën, ndërsa golit iu afrua disa herë. Festa e merituar megjithatë në fund ishte për Ballkanin. Kështu ngritja e klubit suharekas vazhdon të jetë e mahnitshme.
