Ballkani fiton derbin, Dukagjini thellon krizën e Llapit
Kanë përfunduar katër ndeshjet e para të javës së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll, ku nuk munguan surprizat, golat dhe ndryshimet në renditje. Skuadra kampione në fuqi, Drita, pësoi humbjen e dytë sezonale, ndërsa Ballkani dhe Dukagjini vazhduan ecurinë pozitive, me këtë të fundit që ka marrë kreun e tabelës.
Në derbin e javës, Ballkani shënoi fitore të pastër 2:0 ndaj Dritës në stadiumin e qytetit në Suharekë. Golin e parë për skuadrën vendase e realizoi Walid Hamidi në minutën e 39-të, duke përfituar nga një tollovi në zonë. Drita mendoi se kishte barazuar tre minuta më vonë me Arb Manajn, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, për shkak të faullit të sulmuesit në aksion.
Rezultati u vulos në minutën e 86-të, kur kapiteni i Dritës, Besnik Krasniqi, realizoi autogol në tentim për të larguar topin nga zona. Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe pozicionohet i dyti në tabelë, ndërsa Drita mbetet në vendin e nëntë me vetëm pesë pikë pas gjashtë javësh – një fitore, dy barazime dhe tre humbje.
Në ndeshjen tjetër të rëndësishme të xhiros, Dukagjini mposhti Llapin me rezultat 3:1 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Mysafirët nga Podujeva kaluan në epërsi që në minutën e 8-të me golin e Axel Gnapit, por Dienit Isufi barazoi në fundin e pjesës së parë me një goditje nga distanca.
Në pjesën e dytë, vendasit morën kontrollin e plotë të lojës. Altin Merlaku realizoi për 2:1 në minutën e 61-të, ndërsa Iljasa Zulfiji vulosi rezultatin në minutën e 88-të. Me këtë triumf, Dukagjini ngjitet në vendin e parë me 13 pikë, ndërsa Llapi mbetet i fundit me vetëm 3 pikë – ende pa fitore këtë sezon.
Në një ndeshje të barabartë të luajtur në fushën me bari artificial në Gjilan, Drenica arriti të marrë tri pikë të plota me një gol të shënuar në sekondat e fundit nga Genc Hamiti (90+5’), duke përfituar nga një gabim individual i mbrojtësit vendas. Kjo ishte fitorja e tretë për Drenicën në këtë sezon, që e ngjit në pozitën e tretë me 11 pikë. Gjilani, ndërkohë, mbetet me shtatë pikë në vendin e pestë.
Malisheva rikthehet te fitorja para tifozëve të saj, duke përmbysur Ferizajn me rezultat 3:1. Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Iljazit në minutën e 32-të, por Malisheva reagoi shpejt me një gol të Arlind Veliut në minutën e 36-të.
Në pjesën e dytë, vendasit dominuan. Diatta realizoi në minutën e 50-të për 2:1, ndërsa Aliu i dha fund dilemave në minutën e 54-t. Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në kuotën e 7 pikëve, duke u vendosur në mesin e tabelës. Ferizaj zbritet në vendin e tetë me gjashtë pikë.
Ndeshja e fundit e kësaj jave zhvillohet sot prej orës 20:15 në stadiumin “Fadil Vokrri” ku takohen Prishtina – Prishtina e Re.
