Aubameyang refuzon ofertën nga Arabia Saudite, drejt rikthimit te Marseille
Pierre-Emerick Aubameyang ka vendosur të kthehet në Francë. Sulmuesi 36-vjeçar nga Gaboni, i cili së fundmi u largua nga klubi saudit Al-Qadisiya, ka refuzuar një ofertë të majme nga Al-Ettifaq për të nënshkruar me Olympique de Marseille, raporton të shtunën “L’Equipe”.
Aubameyang pritet të ribashkohet me klubin nga jugu i Francës, vetëm një vit pas largimit të tij. Ai ka arritur marrëveshje për një kontratë që do ta mbajë në “Stade Vélodrome” deri në vitin 2027.
Marseille ka qenë në kërkim të një sulmuesi të mirëfilltë dhe, sipas mediave franceze, e ka gjetur përgjigjen te ish-ylli i skuadrës. Përvoja dhe lidershipi i Aubameyang shihet si element kyç për skuadrën e drejtuar nga trajneri italian, Roberto De Zerbi.
Në sezonin 2023/24, Aubameyang pati një paraqitje mbresëlënëse me OM, duke realizuar 30 gola në 51 paraqitje në të gjitha garat. Ai u shpall golashënuesi më i mirë dhe lojtari më i mirë i Europa League, me 10 gola në këtë garë.
Rikthimi i tij në Marseille shihet si një hap i rëndësishëm në ndërtimin e një skuadre konkurruese për sezonin e ri, ndërsa ai vet synon të vazhdojë të jetë vendimtar edhe në këtë fazë të avancuar të karrierës së tij.
