Assane Diatta “Ylli i Javës”; Ja shumë i lumtur te Prishtina
Screenshot
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar me ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, që i dedikohet futbollistit më të dalluar të çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.
Pas ndeshjeve të xhiros së tretë, këtë çmim e ka fituar futbollisti i FC Prishtina, Assane Diatta, i cili u dallua me paraqitjen e tij dhe kontributin vendimtar në fitoren e skuadrës bardhekaltër kundër Llapit (4:0).
Diatta ishte protagonist i suksesit të Prishtinës, duke realizuar dy gola dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të arkëtojë pikët e plota.
“Ndeshja ishte shumë e vështirë në pjesën e parë. Menaxhuam lojën mirë, duke u mbrojtur mirë dhe, njëkohësisht, duke sulmuar. Në pjesën e dytë dolëm me një ide tjetër dhe, me ndihmën dhe këshillat e trajnerit, arritëm ta bënim lojën më të lehtë për ne. Shanset tona i shndërruam edhe në tre gola tjerë dhe jam shumë i lumtur për fitoren”, ka thënë Diatta pas pranimit të çmimit.
Futbollisti senegalez ka folur edhe për raportin e tij me klubin dhe qytetin e Prishtinës.
“E dua shumë Prishtinën dhe klubin. Njerëzit këtu janë shumë të mirë dhe mikpritës, ndaj jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që jam pjesë e këtij klubi”, u shpreh ai.
Diatta ka treguar se çmimin “Ylli i Javës” ia dedikon personit më të rëndësishëm në jetën e tij.
“Këtë çmim ia dedikoj nënës sime, e cila është gjithçka për mua. Jam shumë i lumtur për ekipin dhe për veten, sepse e di që kam dhënë kontributin tim në këtë fitore”, deklaroi Diatta.
Vlerësimi për çmimin “Ylli i Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
