May 18, 2026

Arianit Hasani ‘Ylli i Javës’; Duam t’i shmangemi barazhit

Futbollisti i KF Llapi, Arianit Hasani, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 34-t të Albi Mall Superligës së Kosovës, pas paraqitjes vendimtare në fitoren 2:1 ndaj SC Gjilani.

Hasani u vlerësua për kontributin e tij të rëndësishëm në një ndeshje të fortë dhe me shumë presion, ku Llapi arriti të marrë tri pikë të rëndësishme në përballje me gjilanasit. Çmimi tradicional ndahet në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të garës, Albi Mall, ndërsa përzgjedhja e fituesit bëhet nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

Pas pranimit të çmimit, mesfushori i Llapit u shpreh i kënaqur si me rezultatin e ekipit, ashtu edhe me vlerësimin individual. Ai theksoi se skuadra kishte hyrë e përgatitur maksimalisht në këtë ndeshje dhe ishte e vetëdijshme për rëndësinë e pikëve.

“E kemi ditur që na pret një ndeshje shumë e vështirë. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës dhe presioni ka qenë i madh, por jam i lumtur që morëm tri pikë dhe dolëm faqebardhë. Synimet tona kanë qenë të jemi në top 3. Renditja aktuale nuk është ajo që e dëshirojmë dhe shpresojmë t’i shmangemi edhe barazhit. E dimë që kemi ekip të mirë dhe nuk e meritojmë pozitën ku ndodhemi. I falënderoj bashkëlojtarët dhe trajnerin, sepse pa ta nuk do ta fitoja këtë çmim. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në ndeshjet e ardhshme. Jam shumë i lumtur edhe në aspektin personal për këtë vlerësim”, deklaroi Hasani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *