Allegri dhe legjendat e Juves pas dënimit drastik: Është e rëndësishme të jemi të bashkuar

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka bërë thirrje për unitet mes lojtarëve dhe tifozëve të klubit të famshëm italian, pasi bardhezinjtë u ndëshkuan dje me heqjen e 15 pikëve nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) dhe zbritën në vendin e 10-të në tabelë.
“Nesër kemi një ndeshje të rëndësishme me Atalantën, e veçantë për atë që ndodhi dje. Të gjithë duhet të jemi të bashkuar, të vazhdojmë të punojmë. Duhet të mendojmë vetëm për gjërat që ndodhin në fushë. Ne ende duhet të fitojmë pikë. Nëse fitojmë nesër, mund të jemi te vendi i shtatë, dhe pastaj është Europa League, Coppa Italia. Duhet të japim maksimumin. A mund të luajmë më të qetë? Nuk është kurrë kështu në Juventus. Pogba dhe Vlahovic do të kthehen javën e ardhshme. Para vendimit të djeshëm kishim 37 pikë me shanse për Champions League dhe ndoshta titull. Tani ka ankim dhe vendimi përfundimtar do të vijë pas dy muajsh, gjatë të cilës periudhë duhet të bëjmë punën tonë”, ka theksuar Massimiliano Allegri.
Mbështetje për klubin kanë dhënë edhe disa futbollistë aktualë dhe ish-futbollistë të klubit. Kapiteni, Leonardo Bonucci iu drejtua fansave në Instagram: “Ne jemi me ju, sot është edhe më e rëndësishme të jesh me skuadrën. Përpara në rrugën tonë”. Mesazhe mbështetjeje dërguan edhe Danilo, Manuel Locatelli, Mattia Perin, Niccolo Faglioli dhe Fabio Miretti.
Ish-mbrojtësi Giorgio Chiellini tha: “Kur je një herë pjesë e Juventusit, je përgjithmonë”, ndërsa ish-mesfushori Claudio Marchisio pyeti veten pse u pastruan tetë skuadrat e akuzuara.
“Fitimi kapital – në zhargonin ekonomik është një rritje në vlerë, një ndryshim pozitiv. Le të përsërisim se Juventusi është i vetmi klub i dënuar, kur të gjitha klubet e bënë këtë”, thotë Marchisio.