Ademi uron Dritën për Superkupën: Dëshmi e progresit të futbollit të Kosovës
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka uruar FC Dritën për fitimin e trofeut të Superkupës, pas ndeshjes së zhvilluar sot në Antalya, ku skuadra nga Gjilani triumfoi ndaj FC Prishtinës.
Përmes një reagimi publik, Ademi ka vlerësuar paraqitjen e të dyja skuadrave, duke theksuar rivalitetin sportiv, cilësinë dhe karakterin e treguar në fushë.“Sot në Antalya u zhvillua një ndeshje e shkëlqyer e Superkupës, ku dy prej skuadrave tona më të mira, FC Drita dhe FC Prishtina, treguan rivalitet sportiv, cilësi dhe karakter të lartë”, ka deklaruar ai.
Kreu i FFK-së ka përgëzuar përzemërsisht FC Dritën për organizimin dhe performancën e mirë, e cila u kurorëzua me fitimin e trofeut, ndërsa ka shprehur vlerësim të veçantë edhe për FC Prishtinën, duke e cilësuar lojën e saj si luftuese deri në minutat e fundit.
Sipas Ademit, ndeshje të tilla janë tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të klubeve kosovare dhe i ambicies për paraqitje dinjitoze në garat ndërkombëtare.
“Vazhdojmë përpara së bashku, me punë dhe përkushtim, për ta ngritur futbollin e Kosovës në nivelin që meriton”, ka përfunduar presidenti i FFK-së.
