Ademi: Uniteti dhe kompaktësia, çelësi i suksesit të futbollit të Kosovës
Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, në të cilin janë miratuar ndryshimet statutare dhe janë marrë disa vendime të rëndësishme për funksionimin e saj.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në fjalën e tij para delegatëve, theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit brenda komunitetit të futbollit kosovar.
“Sot mbajtëm Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së, ku edhe njëherë komuniteti i futbollit dëshmoi kompaktësinë e tij. Isha i lumtur t’i shoh bashkë delegatët që vijnë nga të gjitha sferat e jetës, njerëz të suksesshëm e që japin shumë për futbollin tonë. Çdo herë që takohemi në Kuvend, ndjej krenari dhe besim të madh sepse kur jemi bashkë, futbolli i Kosovës është në duar të sigurta”, tha Ademi.
Ai falënderoi të gjithë delegatët për besimin dhe bashkëpunimin, si dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për gatishmërinë e vazhdueshme për të ndarë barrën e përgjegjësisë në zhvillimin e futbollit.
Ademi nënvizoi se pas miratimit të ndryshimeve statutare, FFK-ja është edhe më e harmonizuar me Ligjin e Sportit, si dhe me statutet e UEFA-s dhe FIFA-s.
“Ky unitet dhe kjo kompaktësi janë çelësi për ta çuar futbollin tonë gjithmonë përpara”, shtoi ai.
Presidenti i FFK-së shprehu mirënjohje të veçantë për përfaqësuesin e FIFA-s, Marco Ferri, atë të UEFA-s, Jozef Klemen, për vlerësimin e punës së FFK-së dhe urimet për Kombëtaren e Kosovës, si dhe përfaqësuesin e MKRS-së, Fidan Shatri, dhe atë të KOK-ut, Teuta Beselica, të cilët monitoruan punimet e Kuvendit.
Në këtë Kuvend, Samir Ujkani u zgjodh përfaqësues i futbollistëve në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, për çka Ademi i uroi mirëseardhje në detyrën e re.
“Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi”, përfundoi Ademi.
