Ademi takon edhe Bersant Celinën: Zemra e tij ka rrahur gjithmonë vetëm për Kosovën
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pas Arbër Zenelit ka takuar edhe futbollistin tjetër dardan, Bersant Celina, që po ashtu që një kohë të gjatë nuk ka qenë pjesë e Kosovës. Ademi ka ndarë një mesazh mirënjohës për Bersant Celinën, futbollistin që la Norvegjinë për të veshur fanellën e Kombëtares së Kosovës.
“Me Bersant Celinën, djaloshin që la Norvegjinë për të veshur fanellën e Kosovës. Që në moshën 16-vjeçare u paraqit me Kombëtaren U21 në ndeshjet zyrtare, ndërsa vetëm një vit më vonë ishte në ekip me Kombëtaren A, në miqësoren historike Kosovë – Haiti, të zhvilluar në Mitrovicë”, ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se talenti i rritur te Manchester City u bë shpejt idhulli i tifozëve “Dardanët”, falë teknikës së tij të jashtëzakonshme dhe vendimit të tij për të zgjedhur Kosovën pa asnjë hezitim.
“Jemi mirënjohës që, ndonëse kishte vështirësi në komunikim në gjuhën shqipe, Bersanti pa asnjë hezitim zgjodhi Kosovën me zemër. Për ne, ai ka një rol të veçantë në ndërtimin e kësaj Kombëtareje dhe kontributi i tij do të vlerësohet gjithmonë”, ka shtuar presidenti i FFK-së.
Ademi gjithashtu ka përmendur periudhën e vështirë të Celinës me lëndime dhe ndërrime klubesh, por sipas tij, mesfushori është rikthyer fuqishëm duke treguar sërish magjinë e tij në fushë.
“Kënaqësi biseda dhe qëndrimi me djaloshin të cilit që nga dita e parë zemra i ka rrahur vetëm për Kosovën”, ka përfunduar Ademi.
