Ademi: Nga autsaiderë në konkurrentë, Kosova po fiton respektin e Evropës
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për RTV21 ka vlerësuar progresin e madh që ka shënuar futbolli kosovar gjatë nëntë viteve të pranimit në UEFA dhe FIFA, duke theksuar se tashmë Kosova nuk shihet më si një federatë që ka nevojë për ndihmë, por si një konkurrent serioz në arenën ndërkombëtare.
“Dikur Kosovën e shihnin si një autsaider dhe federatat e mëdha mendonin si të na ndihmonin disi, ndërsa sot, të gjitha na shohin si konkurrentë”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka potencuar se progresi i arritur është rezultat i organizimit të mirëfilltë në të gjitha nivelet e përfaqësueseve zinxhirë, që nga grupmoshat e reja e deri te Kombëtarja A. “Është bërë një punë shumë e madhe në ekipin kombëtar zinxhirë. Ne jemi shumë të organizuar, duke filluar nga U13 e deri te U21, derisa për Kombëtaren A po shihet se jemi në një hap shumë të mirë me rezultate dhe lojë,” theksoi ai.
Ademi ka ndarë edhe një përjetim personal nga një figurë e njohur në futbollin evropian, i cili kishte shprehur respekt dhe vlerësim të madh për zhvillimin e shpejtë të futbollit kosovar.
“Pak kohë më parë, një personalitet me emër në Evropë më tha: ‘Më nuk po ju shohim si federatë që duhet ndihmuar, por po ju shohim si një federatë shumë konkurruese.’ Besoni, kur dëgjoj kësi vlerësime, mua si njeriu i parë i Federatës më bëjnë të ndihem shumë krenar,” ka treguar Ademi.
Megjithatë, ai ka shtuar se nuk ka vend për vetëkënaqësi. “Gjithsesi, unë nuk kënaqem deri te arritja e objektivave, por sigurisht kur e sheh këtë punë dhe këtë arritje është krenari,” përfundoi Ademi.
