Romario dhe Bebeto dikur miq të ngushtë në futboll, por tani i përçau politika

Romario dhe Bebeto, dy sulmuesit e njohur për kontributin e tyre në ekipin kombëtar të Brazilit, kanë humbur lidhjen e ngushtë miqësore për shkak të politikës dhe akuzave për fyerje reciproke.
Këto dy figura futbolli ishin pjesë e kombëtares braziliane dhe kishin shkëlqyer në Kupën e Botës 1994, duke fituar titullin dhe duke mbledhur simpatinë e tifozëve. Në vitet që pasuan, ata vazhduan të jenë miq të ngushtë jashtë fushe, duke ndarë përvojat dhe sukseset e tyre në futboll.
Megjithatë, në ditët e fundit, marrëdhënia midis tyre u prish për shkak të politikës. Bebeto kandidoi për postin e deputetit me partinë PSD, por nuk u zgjodh. Në anën tjetër, Romario u rizgjodh në Senat me partinë e Jair Bolsonaro.
Romario, në një intervistë televizive, shprehu zhgënjimin e tij ndaj “binjakut” të tij në futboll, duke e fajësuar për tradhti politike.
Ai tha: “Ishte partneri im, por tani nuk është më. Më tradhtoi në politikë. Kaloi nga një parti në tjetrën. Ka gjëra në jetë që mbesin përgjithnjë. Kur një person të trajton në këtë mënyrë pas një marrëdhënie të ngushtë miqësie, është e trishtë.”
Bebeto, i befasuar nga deklarata e Romarios, reagoi përmes mediave duke thënë: “Kush është ai që më quan tradhtar? Romario po plaket dhe mendoj se është prekur nga sëmundja e sklerozës, pasi flet budallalliqe. Kam pasur një karrierë të ndershme në futboll dhe politikë, dhe nuk jam përfshirë kurrë në polemika. Nuk mund të them të njëjtën gjë për të, ai është egoist. Ai gjithmonë ka menduar vetëm për veten e tij.”
Këto akuza e fyerje kanë ndikuar negativisht në marrëdhënien e tyre miqësore dhe kanë sjellë tensione të mëdha mes tyre.