Lirohen me procedurë të rregullt zyrtarët e FFK-së që u intervistuan sot, vetëm me Agim Ademin u veprua ndryshe
Katër zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës si të dyshuar për keqpërdorim të pasurisë dhe interesave të FFK-së, janë intervistuar sot nga Policia e Kosovës. Njoftimin e ka dhënë vet Policia.
Sipas njoftimit, zyrtarët “dyshohet se kanë keqpërdor autorizimet e tyre me qellim që personit të huaj t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke lejuar pagesën e faturës për blerjen e një veture”.
“Andaj në konsultim dhe koordinim me Prokurorin kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, përfundon njoftimi nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me një zyrtar tjetër që ishte intervistuar gati para dy jave e që ishte liruar me procedurë të rregullt.
Ajo që bien në sy dhe që është paksa e çuditshme është fakti se vetëm me presidentin e FFK-së, Agim Ademi u veprua ndryshe. Ndaj tij u ndërmor masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve.
