Legjenda braziliane Ronaldo Nazário ka marrë pjesë në një sfidë interesante në podcastin e njohur “Stick to Football”, ku ka krijuar futbollistin perfekt duke përzgjedhur cilësitë më të mira të yjeve të futbollit ndër vite.
I ftuar në emisionin e moderuar nga Gary Neville, me pjesëmarrjen e Roy Keane, Jamie Carragher, Ian Wright dhe Jill Scott, Ronaldo ka zbuluar se cilët futbollistë i konsideron më të mirët në karakteristika të ndryshme.
Lionel Messi ishte emri që përmendi më së shumti, duke ia dhënë argjentinasit epitetin e më të mirit për këmbën e majtë dhe driblimin.
Për këmbën e djathtë zgjodhi ish-bashkëlojtarin e tij te Brazili, Ronaldinhon, ndërsa për shpejtësinë e përzgjodhi veten, duke shtuar se në ditët e sotme këtë cilësi e zotëron Kylian Mbappe.
Për forcën fizike, zgjedhja e tij ishte Cristiano Ronaldo, ndërsa për inteligjencën dhe vizionin në fushë përzgjodhi Pep Guardiolën, ish-bashkëlojtarin e tij te Barcelona.
Për lojën në ajër, Ronaldo veçoi Oliver Bierhoffin, kurse për mentalitetin fitues nuk arriti të zgjedhë vetëm një emër, duke përmendur Cafunë dhe Roy Keane.
Një përzgjedhje interesante nga një prej sulmuesve më të mëdhenj në historinë e futbollit, i cili për të krijuar futbollistin perfekt u mbështet te cilësitë e disa prej legjendave më të mëdha të këtij sporti.