Jamal Musiala po kalon një vit shumë të vështirë, pasi ka marrë një tjetër lajm të keq lidhur me gjendjen e tij fizike.
Sulmuesi i Bayern Munichut ka pësuar një dëmtim të ri muskulor në kofshën e djathtë, duke e mbyllur para kohe vitin kalendarik 2026.
Sipas informacioneve të gazetës gjermane “Bild”, Musiala kishte ndier dhimbje pas ndeshjes kundër Kolnit, por megjithatë kishte vendosur të luante edhe në përballjen ndaj skuadrës franceze, në përpjekje për të dëshmuar se ishte i gatshëm për lojë.
Ky vendim, megjithatë, duket se i ka kushtuar shtrenjtë, pasi futbollisti pritet të mungojë deri në mesin e janarit, nëse rikuperimi shkon sipas parashikimeve.
Viti 2026 ka qenë veçanërisht i vështirë për 23-vjeçarin. Ai fillimisht iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një pllake metalike nga këmba e majtë, ndërsa në gusht kishte shkaktuar shqetësim pas problemeve shëndetësore gjatë paraqitjeve në fushë.
Përveç dëmtimit të ri, Musiala është përballur edhe me kritika nga drejtues dhe figura të njohura të Bayernit, përfshirë Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge, të cilët kanë shprehur shqetësime për rikthimin e tij në formën më të mirë.
Mungesa e tij është një tjetër problem për trajnerin Vincent Kompany, i cili po përballet me mungesa të shumta në skuadër.
Për ndeshjen e radhës ndaj Hamburgut, Bayerni pritet të jetë pa disa emra të rëndësishëm, përfshirë Harry Kane, Michael Olise, Serge Gnabry, Alphonso Davies dhe portierin Manuel Neuer.