Gjyqtari i Superligës së Kosovës në futboll, Rrezart Hasani, ka përfunduar me sukses operimin e tendinës së Akilit, pas një periudhe të gjatë me dhimbje dhe sfida.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Hasani përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur mirënjohje për presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për mbështetjen dhe përkujdesjen gjatë kësaj periudhe.
Hasani ka falënderuar gjithashtu ortopedin Dr. Amir Vejseli për profesionalizmin dhe kujdesin gjatë procesit të trajtimit.
Ai ka bërë të ditur se tashmë e pret një periudhë e re, me synimin për t’u rikthyer në fushën e futbollit.
“Tani fillon një rrugëtim i ri, me durim, punë dhe përkushtim, me synimin për t’u rikthyer edhe më i fortë në fushën e futbollit”, ka shkruar Hasani.
Në fund, gjyqtari ka falënderuar familjen, miqtë dhe të gjithë ata që i qëndruan pranë gjatë kësaj periudhe.