Paul Pogba ka kërkuar durim për Manchester Unitedin në projektin e ri nën drejtimin e trajnerit Mauricio Pochettino, duke e marrë Arsenalin si shembull të një skuadre që u deshën vite për t’u rikthyer në majën e futbollit anglez.
Ish-mesfushori francez, i cili ka luajtur në dy periudha për “Djajtë e Kuq”, beson se klubi duhet të krijojë stabilitet dhe t’i japë kohë trajnerit të ri për të ndërtuar një skuadër konkurruese.
Pogba u shpreh i kënaqur me emërimin e Pochettinos, të cilin e vlerësoi si trajner të shkëlqyer, ndërsa shprehu keqardhje për Michael Carrick, duke thënë se nuk pati kohë të mjaftueshme për të dëshmuar aftësitë e tij.
“Jam i lumtur që Pochettino shkoi atje, sepse mendoj se është një trajner i shkëlqyer. Gjithashtu jam i trishtuar për Michael Carrick, sepse nuk mendoj se pati kohë të mjaftueshme për ta dëshmuar veten. Mendoj se thjesht duhet t’i japim kohë kësaj skuadre”, deklaroi Pogba.
Ai theksoi se për suksesin e një projekti të ri është e domosdoshme që drejtuesit, trajneri dhe futbollistët të jenë në të njëjtën linjë.
“Duhet kohë, duhet t’i rregullosh gjërat brenda klubit. Të gjithë duhet të jenë në të njëjtën linjë dhe t’i japin trajnerit kohë për ta bërë punën e tij. Lojtarët gjithashtu duhet të luajnë mirë dhe ta kuptojnë trajnerin. Në këtë mënyrë mund të arrijnë sukses, ashtu si Arsenali”, shtoi francezi.
Pogba kujtoi se edhe Arsenali kaloi një periudhë të gjatë pa e fituar Premierligën, pavarësisht historisë së tij të suksesshme, duke theksuar se rikthimi në majë kërkon durim dhe besim.
“Duhet të ndalojmë së foluri për Manchester Unitedin sikur të ishte skuadra e dikurshme. Duhet ta respektojmë klubin, t’i lejojmë të rritet përsëri dhe të rikthehet në majë”, përfundoi Pogba.