Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave ka pësuar humbje të thellë në përballjen me Poloninë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U19, në Ligën A, Grupi A3.
Dardanet e reja u mposhtën me rezultat 5:0 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin MŠK Žilina, në qytetin e Zhilinës në Sllovaki.
Polonia kaloi në epërsi në minutën e 25-të me golin e Ostrowskas, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Madejczyk dyfishoi rezultatin. E njëjta lojtare realizoi edhe golin e tretë në minutën e 34-t, duke i dhënë Polonisë epërsi të rehatshme që në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Kombëtarja e Kosovës nuk arriti të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes, ndërsa polaket shënuan edhe dy herë në kohën shtesë.
Fillimisht, Burzan realizoi nga penalltia në minutën e 90+2, kurse dy minuta më vonë Skrzypczak vulosi rezultatin përfundimtar 5:0.
Kësisoj, Kombëtarja e Kosovës U19 e vajzave pëson një humbje të thellë në këtë përballje kualifikuese, ndërsa synimi mbetet reagimi në ndeshjet e ardhshme, ndonëse kundërshtaret janë shumë të forta, pasi do të përballet me Greqinë dhe Sllovakinë.